Kryeministri Kurti e ministrja Hajdari vizituan kompaninë 'Mercom'
Prishtinë,
16/04/2025
Gjatë vizitës u mirëpritën shumë ngrohtë nga pronari i kësaj kompanie, z. Arif Elshani me drejtorin z. Robert Gegaj dhe ekipin, ku patën rastin të njiheshin nga afër me punën, kapacitetet prodhuese dhe potencialin inovativ të kësaj kompanie.
Ministrja Hajdari theksoi se Mercom është një nga bizneset me rritjen e projekteve inovative që kanë demonstruar qëndrueshmëri dhe ndikim të dëshmuar. Me një histori mbi 30 vjeçare në treg, kjo kompani operon në disa sektorë, përfshirë ndërtimin, prodhimin e dyerve dhe dritareve nga druri, prodhimin e laminatit me presion të lartë (HPL), aplikimin e fasadave ventiluese të teknologjisë së fundit dhe automobilistikë.
Biznese të tilla si kjo, kanë fituar mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes programeve të agjencisë KIESA, për mbështetjen e NVM-ve për rritjen e konkurrueshmërisë përmes inovacionit dhe programeve mbështetëse për pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare, duke prezantuar me dinjitet potencialin prodhues të Kosovës me produkte me vlerë për tregun ndërkombëtar.