Lajme

MINT shënon Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale

Prishtinë, 28/04/2025

Sot, në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale 2025, nën patronatin e Ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, u mbajt ngjarja me temën e zgjedhur për këtë vit "Pronësia Intelektuale dhe Muzika", organizuar nga Agjencia për Pronësi Industriale në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Doganën e Kosovës.

Ministrja Hajdari tha se muzika, që pasuron çdo aspekt të jetës sonë, është një formë universale e shprehjes krijuese dhe të drejtave të pronësisë intelektuale (IP) dhe shembull se si IP i jep kuptim dhe mbrojtje krijimtarisë sonë.

Duke vlerësuar punën dhe kontributin e artistëve, përmes regjistrimit të markave tregtare, mbrojmë jo vetëm identitetin e artistëve tanë, por edhe pasurinë kulturore të kombit tonë, me ndikim pozitiv në zhvillim të përgjithshëm të vendit.

Më tutje, ajo shtoi “Kjo ngjarje e sotme na dha rastin të reflektojmë për muzikën, kreativitetin dhe inovacionin, për të festuar rolin e IP dhe për të punuar së bashku në mënyra shumë konkrete, për t'ju ndihmuar të gjithë krijuesve, muzikantëve, artistëve dhe novatorëve, për të kujtuar fuqinë e IP, fuqinë e muzikës dhe fuqinë se si ata mund të bashkohen, për një të ardhme më të mirë për shoqërinë dhe gjeneratat pas nesh. Jo vetëm në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, me 26 prill, por edhe gjatë gjithë vitit.”

Me përkushtimin politik dhe punën e Agjencisë për Pronësi Industriale (API), Ministrja Hajdari theksoi se është punuar në forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, me arritje të prekshme gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes sonë:

✅ Është përfunduar reforma ligjore në fushën e pronësisë industriale, duke harmonizuar plotësisht legjislacionin që rregullon pronësinë industriale me acquis të BE-së. Po ashtu, pas 12 vitesh, është miratuar Rregullorja e re për Strukturimin e Agjencisë për Pronësi Industriale, e cila garanton shërbime më cilësore për palët dhe ofron mbrojtje të avancuar për inovatorët. Ky sukses është theksuar edhe në dy raportet e fundit vjetore të Progresit për Kosovën, nga Bashkimi Evropian.

Pas 10 viteve mungesë të një dokumenti strategjik në fushën e pronësisë industriale, është miratuar Programi për Pronësinë Industriale 2025-2027 dhe plani i veprimit, i cili përbën një dokument strategjik që synon fuqizimin e sistemit të pronësisë industriale në Kosovë.

Janë zgjidhur 748 raste të shkeljeve të markave tregtare nga 911 lëndë të kundërshtimeve, të trashëguara që nga viti 2013, me procese të komplikuara gjyqësore, me konflikte në mes subjekteve ekonomike dhe humbje të tregut.

Janë regjistruar 7699 objekte të pronësisë industriale, prej tyre 7532 marka tregtare, 127 dizajne industriale dhe 40 patenta.

Për herë të parë në Republikën e Kosovës, janë regjistruar Treguesit Gjeografik, si emërtime të mbrojtura të origjinës, "Djathi i Sharrit" dhe “Verërat e Rahovecit. Janë regjistruar edhe 2 produkte me tregues gjeografikë me aplikues ndërkombëtarë si: Cognac dhe Gorgonzola.

Është arritur mbështetja nga Bashkëpunimi Ekonomik dhe Zhvillimor nga Zvicrra (SECO) përmes projektit në vlerë prej 750,000 CHF, për fuqizimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë. Ky projekt do të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe garantimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.

Është arritur marrëveshja me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), për digjitalizimin e plotë të proceseve në Agjencinë për Pronësi Industriale. Ky proces përfshin integrimin e aplikimeve online, duke reduktuar kohën e trajtimit të aplikimeve, rritur efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien në shërbimet që ofron agjencia.

Është arritur nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet anëtare të EFTA-së, për tregtinë e mallrave, tregtinë e shërbimeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunimin doganor, masat sanitare dhe fitosanitare (SPS) dhe barrierat teknike të tregtisë (TBT), mjetet juridike tregtare, konkurrencën, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ministrja e përmbylli fjalimin duke nënvizuar se këto arritje janë fryt i një vizioni politik të qartë, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes nga partnerët e vendit tonë: të ndërtojmë Kosovën si një shtet modern, ku inovacioni, kreativiteti dhe dinjiteti i punës mbrohen dhe promovohen.