Lajme

U mbajt takimi konsultativ me bizneset nga sektori i TIK-ut për dizajnimin e skemës së grantit

Prishtinë, 30/04/2025

MINT/KIESA, ka mbajtur sot takimin konsultativ me përfaqësues të bizneseve nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Ky takim u organizua me qëllim të identifikimit të kërkesave dhe nevojave të bizneseve në sektorin e TIK-ut, si hap paraprak për dizajnimin e një skeme granti për këtë sektor, e cila është planifikuar të zbatohet gjatë vitit 2025 në kuadër të skemave mbështetëse për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

Gjatë takimit U.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, Zef Dedaj, theksoi rëndësinë e sektorit të TIK-ut për zhvillimin ekonomik të vendit dhe inkurajoi bizneset që të ndajnë nevojat dhe sfidat e tyre, në mënyrë që skema e mbështetjes të jetë e dizajnuar në përputhje me kërkesat konkrete të këtij sektori.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e bizneseve prezantuan sfidat aktuale me të cilat përballen dhe paraqitën propozime që lidhen me nevojat për investime në zhvillimin e produkteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe digjitalizimin e shërbimeve. 

Në përmbyllje të takimit, z. Dedaj falënderoi të gjitha bizneset për kontributin e dhënë dhe theksoi përkushtimin për të reflektuar rekomandimet e marra gjatë këtij procesi në hartimin e skemës së grantit, me synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të TIK-ut në Kosovë.