Lajme

MINT/KIESA dhe UNDP nënshkruajnë marrëveshje për zbatimin e projektit të industrisë kreative në vlerë financiare prej 1,450,000 euro

Prishtinë, 08/05/2025

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), sot ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), për zbatimin e projektit të industrisë kreative në vlerë financiare prej 1,450,000 euro.

Kjo marrëveshje vjen si bashkëfinancim i instrumentit financiar në mbështetje për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) me veprimtari në fushat e industrisë kreative, me kontribut nga Dukati i Madh i Luksemburgut me shumën në vlerë prej 950,000 euro dhe 500,000 euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes agjencisë KIESA, gjersa UNDP shërben si partner zbatues

Kjo Marrëveshje është nënshkruar nga z. Zef Dedaj, U.d i Drejtorit të përgjithshëm të KIESA-së dhe z.Nuno Queirós, Përfaqësues Rezident i UNDP-së në Kosovë.

Ky instrument mbështetës financiar për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) do të zbatohet nga agjencia KIESA si skemë e re e dedikuar për përkrahjen e ndërmarrjeve private me veprimtari në fushat e industrisë kreative, dhe me mbështetje nga UNDP.

Ky është një hap i madh drejt shpalosjes së potencialit të madh të industrisë kreative në Kosovë, si vend lider për industrinë kreative në rajon.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, KIESA me përformancë dukshëm të përmirësuar gjatë tre viteve të fundit, së shpejti do të lansojë thirrjen e radhës për skemën e granteve për mbështetjen e NMVM-ve me veprimtari në industrinë kreative.