Ministrja në detyrë e Ministrisë së Industrisë, Ndērmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari mori pjesë në hapjen e edicionit 24 të panairit "EXPOKOS 2025"
Prishtinë,
19/05/2025
Ky panair me organizim nga kompania CEO, këtë vit bashkoi ndërmarrje shumë të suksesshme nga Kosova, Austria, Gjermania, Franca, Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera, të cilat ndërmarrje synojnë rritje, bashkëpunim dhe prezantim të risive teknologjike nga zhvillimet më të fundit në industri.
Në fjalimin e saj, Ministrja Hajdari theksoi mbështetj3n e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj ndërmarrjeve vendore, me synim diversifikimin ekonomik nëpërmjet zgjerimit të prodhimit industrial drejt aktiviteteve me vlerë më të lartë të shtuar, përmirësimin e konkurrencës, shpalosjen e kapacitetit inovativ dhe përshpejtimin e transformimit dixhital në industrinë vendore, që rezulton në rritjen e potencialit të eksportit, përmirësimin e bilancit tregtar dhe rritjen e të ardhurave kombëtare.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë këtij mandati qeverisës ka rritur shumëfish mbështetjen financiare ndaj ndërmarrjeve të sektorit privat në Kosovë.
Më 5 maj, 2025, MINT përmes agjencisë KIESA, lansoi thirrjen publike të radhës, përmes platformës e-Kosova, për përkrahje financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në vlerë prej 5 milionë euro, për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese, me qëllim zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, me produkte me vlerë për tregun ndërkombëtar.
Për dallim, në vitin 2021 skema e granteve për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese, ishte ofruar vetëm në shumën prej 0.5 milion euro vlerë.
Njoftimi për thirrjen publike të fundit të kësaj skeme në vlerë 5 mil euro, është i publikuar në ueb faqen zyrtare të MINT dhe të KIESA-së:
https://mint.rks-gov.net/
http://kiesa.rks-gov.net/
Afati për dorëzimin e aplikacionit dhe dokumenteve përcjellëse është deri më datë 26 maj 2025.
Ftohen sa më shumë ndërmarrës dhe ndërmarrëse vendore që plotësojnë kriteret, të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi.
MINT me agjencinë KIESA do të vazhdojë me lansimin e skemave të reja të granteve për ndërmarrjet vendore.