Lajme

Diaspora shqiptare – një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 19/05/2025

Ministrja në detyrë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë znj. Rozeta Hajdari, mori pjesë në Konferencën Ekonomike të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare – një platformë e rëndësishme që bashkon dhe rrjetëzon qindra biznese shqiptare nga diaspora dhe trojet tona, duke ndërtuar ura bashkëpunimi për të mirën e përbashkët.

Në fjalimin e saj, Ministrja Hajdari theksoi se Diaspora shqiptare, si kapital i madh njerëzor, social dhe ekonomik, përbën një forcë të rëndësishme që sjell njohuri, ekspertizë, talent – përkatësisht transferim të dijes, të teknologjisë, rrjetëzime të biznesit dhe burime të tjera thelbësore, që janë premtuese për zhvillimin e ekonomisë së vendit, por edhe për vetë kontribuesit nga diaspora.

Gjatë këtij mandati qeverisës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ( MINT), ka rritur shumëfish mbështetjen financiare ndaj sektorit privat dhe ka ndërmarrë reforma të guximshme për të ndërtuar një ambient të shëndoshë, të drejtë dhe konkurrues për të bërit biznes – duke nxitur dhe mbrojtur investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme, reduktuar burokracinë, përmirësuar shërbimet administrative dhe duke garantuar që investitorët nga diaspora dhe të huaj, të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime ligjore si investitorët vendorë.

Përmes reformës dhe investimeve në parqe industriale dhe teknologjike, MINT është duke i shndërruar të gjitha zonat ekonomike të themeluara më parë, por të pashfrytëzuara në komunat e Kosovës, si dhe zonat e reja të krijuara gjatë këtij mandati, në parqe efektive në shërbim të bizneseve vendore, nga diaspora dhe të huaja.

Me progresin ekonomik, demokratik dhe institucional, Kosova ka përjetuar rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe tashmë pozicionohet si një destinacion më konkurrues dhe tërheqës për investimet e huaja direkte (FDI).

"Bashkëpunimin në mes bizneseve nga diaspora dhe atyre vendore – me shumë potencial të pashpalosur dhe ide kreative që presin të bëhen realitet – është një investim i çmuar për të ardhmen e ndritur të Kosovës", theksoi Ministrja Hajdari.

Ajo shprehi mirënjohje dhe falënderim të përzemërt për të gjithë kontribuesit nga Diaspora.