Ministrja Hajdari mori pjesë në hapjen e hapjen e dy fabrikave të reja nga ndërmarrja LONI DEKOR – Fabrika e Sofave & Fabrika e Plastikës
Prishtinë,
30/05/2025
Me pasion të përbashkët për mjeshtërinë dhe dizajnin, vëllezërit vizionar Faton dhe Fidan Hyseni themeluan ndërmarrjen LONI DEKOR në vitin 2008, duke u nisur nga një punishte modeste me riparim të divaneve për klientët privat.
Angazhimi i tyre i palëkundur ndaj punës, kreativitetit dhe cilësisë, e transformoi shpejt LONI DEKOR në një emër të njohur në industrinë e mobileve. Sot, me një ekip prej rreth 150 punonjësish LONI DEKOR vazhdon të evoluojë, duke sjellë teknologjitë e reja në vija të ndryshme të prodhimit - dhoma të gjumit, kuzhina, dyer të brendshme, tavolina dhe më shumë, me mision për të transformuar hapësirat në vepra arti elegante dhe funksionale dhe për të frymëzuar gjeneratën e ardhshme të përsosmërisë në dizajn.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë këtij mandati qeverisës ka dhjetëfishuar mbështetjen financiare ndaj ndërmarrjeve vendore me potencial për eksport, krahas progresit me reforma të shumëpritura dhe të guximshme, për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm e konkurrues dhe për nxitjen e mbrojtjen investimeve të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.
Me reformën dhe investimet kapitale nga MINT, po i shndërrojmë të gjitha zonat ekonomike të themeluara në komunat e Kosovës, në 12 parqe efektive industriale dhe teknologjike, me synim për tërheqjen e investimeve në industrinë vendore dhe nxitjen e inovacionit, për zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Në bashkëpunim me komunën e Vushtrrisë dhe investimet kapitale në vlerë prej 1.2 milionë euro nga MINT, në vitin 2022 kemi finalizuar ndërtimin e infrastrukturës fizike “Parku Industrial në Lumadh”, me një sipërfaqe prej 14.86 hektarë.
Në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës, në vitin 2024 kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e infrastrukturës fizike “ Parku i Biznesit në Frashër’’ me një sipërfaqe prej rreth 47 hektarë. Projekti ndërtimor i këtij parku të biznesit, ndonëse i themeluar shumë vite më parë, është tenderuar për herë të parë në vlerë prej 1.1 milionë euro investime kapitale nga MINT.
Kosova ka përjetuar rritjen ekonomike më të lartë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është pozicionuar mirë, si një destinacion i ri, më konkurrues dhe tërheqës për investime direkte vendore e ndërkombëtare.
Progresi ekonomik gjatë viteve 2021-2024, përfshin:
Rritje rekorde në regjistrimin e bizneseve me gjithsejte 46,228 biznese të regjistruara, rritje prej 31.4%, krahasuar me periudhën e mëparshme katër vjeçare;
Rritje rekorde ne regjistrimin e bizneseve me pronarë të huaj, me gjithsejt 4,234 biznese te huaja te regjistruara, rritje prej rreth 44%, krahasuar me periudhën e mëparshme katër vjeçare;
Rritje te eksporteve për 100%;
️Rritje të investimeve te huaja direkte për 135%;
Përmirësimi i raportit eksport-import nga 1:9 në 1:6.