Lajme

Ministrja Rozeta Hajdari së bashku me delegacionin arbëreshë nga Kalabria dhe zyrtarë të MINT, morëm pjesë në hapjen zyrtare të Festës së Vjeljes së Rrushit – Hardh Fest 2025, në Rahovec.

Prishtinë, 08/09/2025

Ministrja Hajdari theksosi se pjesëmarrja e delegacionit arbëreshë nga Kalabria, që ka ruajtur origjinën e lashtë të qytetërimit shqiptar, i shtoi vlerë edicionit të 25-të të Festës së Vjeljes së Rrushit, sepse vreshtaria dhe verëtaria janë veprimtari disa mijëravjeçare në trojet tona ilire.

Delegacioni arbëreshë nga Kalabria pjesëmarrës në Hardh Fest 2025, ishte me përfaqësim nga znj. Anna Madeo, Konsulle Nderi e Republikës së Shqipërisë në Kalabri, z. Giuliano Conforti, Zëvendës Kryetar i Komunës së San Giorgio Albanese, që përfaqëson të gjitha Komunat Arbëreshe të Kalabrisë, znj. Aurelia Sprovieri nga Komuna San Giorgio Albanese, Atë Sorin Hagi Ilie, Prifti i Kishës së Shën Marisë së Kostandinopolit në Vaccarizzo Albanese, njëherit organizatori i Garës së Verës Arbëreshë, z. Pier Paolo Olivito, Gazetar në Calabrianews24, përfaqësues i Agjencisë Rajonale për Zhvillimin Bujqësor të Kalabrisë (ARSAC) dhe z. Pino Mariani, Përfaqësues i Shoqatës tregtare italiane Coldiretti dhe Prodhues i verës.

Ministrja Hajdari dhe përfaqësuesit e delegacionit arbëreshë takuan shumë vreshtarë e verëtarë vendor të suksesshëm me mikpritje të ngrohtë, duke iu ofruar me shumë bujari produktet e tyre me vlerë të verës e rakisë. Ata shprehën mirënjohjen e tyre ndaj MINT për dhënien e mbështetjes direkte financiare ndaj verëtarëve, zhvillimin e politikave dhe programeve për industrinë vendore, si dhe marrëveshjet e arritura ndërkombëtare nga MINT, me rezultat në rritjen e konkurrencës së ndërmarrjeve vendore, tregtinë e lirë dhe rritjen e eksporteve të verërave vendore në tregjet ndërkombëtare.

Komunikimi në mes verëtarëve vendor dhe arbëreshë, do të vazhdojë përmes organizimit të ngjarjeve me interes të përbashkët në Kosovë dhe Kalabri, duke filluar me pjesëmarrjen e verëtarëve kosovar në Garën e Verës Arbëreshe dhe pjesëmarrjen e verëtarëve arbëresh në Hardh Fest 2026.

MINT do të mbështes ngjarjet e promovimit dhe krijimit të partneriteteve në mes ndërmarrësve nga Kosova dhe Kalabria, me shumë potencial për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me popullin arbëresh në Itali.