Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shënoi Ditën Botërore të Turizmit 2025
Prishtinë,
29/09/2025
Dita Botërore e Turizmit 2025, 27 shtatori, u shënua me një aktivitet kuptimplotë në zemër të natyrës mahnitëse të Bjeshkëve të Nemuna, në Rugovë: një ecje malore drejt Liqenatit, një prej shtigjeve më të bukura dhe të frekuentuara nga adhuruesit e natyrës dhe aventurës në Kosovë.
Ky aktivitet mblodhi bashkë bjeshkatarë vendor, udhëheqës malor, operatorë turistik, përfaqësues të institucioneve, si dhe dashamirës të natyrës.
Në një atmosferë angazhimi për të ardhmen e qëndrueshme të turizmit, pjesëmarrësit përjetuan nga afër bukuritë e Rugovës dhe u bënë pjesë e një mesazhi më të madh për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në arritje te Liqenati, pjesëmarrësit diskutuan për angazhimin e përbashkët me të gjithë akterët e turizmit në Kosovë, për të shpalosur potencialin e madh që ka turizmi malor dhe kulturor në Kosovë.
Aktiviteti i ecjes drejt Liqenatit është një shembull konkret se si turizmi mund të jetë një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi, jo vetëm për vizitorët, por edhe për politikat zhvillimore të turizmit.
Tematika e këtij viti: “Turizmi dhe Transformimi i Qëndrueshëm” (Tourism and Sustainable Transformation) e përzgjedhur nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), ka për qëllim të nxisë reflektimin dhe veprimin për të transformuar sektorin e turizmit, përmes investimeve të mençura dhe të qëndrueshme, duke vendosur në qendër njerëzit, planetin dhe prosperitetin afatgjatë.
Vizioni i Strategjisë së Turizmit të Kosovës është që, deri në vitin 2030 Kosova do të shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja në detyrë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi se këtë vizion për turizmin e qëndrueshëm, do ta arrijmë përmes zbatimit të masave mbështetëse nga Qeveria e Kosovës, të përcaktuara në planin 3 vjeçar dhe sipas objektivave strategjike të Strategjisë së Turizmit 2030.
Në veçanti, investimet në infrastrukturë cilësore dhe të qëndrueshme për zhvillimin e turizmit dhe angazhimi aktiv i akterëve vendor të turizmit dhe ekspertëve të terrenit, duke promovuar dhe ruajtur natyrën dhe mjedisin, garantojnë ndërtimin e themeleve për turizmin e qëndrueshëm që nuk shteron burimet natyrore, por i mbron dhe i zhvillon ato për brezat që vijnë, theksoi ministrja Hajdari.
Me mirënjohjen e saj të thellë për bjeshkatarët vendor dhe udhëheqësit malor, për angazhimin e tyre vullnetar dhe sukseset e tyre shumëvjeçare në promovimin e turizmit malor të vendit tonë, ministrja Hajdari pranoi një dhuratë të çmuar – flamurin e Shoqatës Bjeshkatare Gjeravica, që është organizata më e vjetër bjeshkatare në Kosovë dhe në rajon.
Në përfundim, ministrja Hajdari përgëzoj Federatën e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës, për angazhimin dhe sukseset në promovimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare përmes dy arritjeve historike:
- Organizimi i Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit dhe Ngjitjes në Male (UIAA) 2025 në Pejë, me 25 dhe 26 tetor 2025 – një nga ngjarjet më prestigjioze të alpinizmit, ku do të marrin pjesë delegatë nga mbi 90 shtete. Kjo ngjarje do të mbledh ngjitës dhe alpinistë nga Kosova dhe vendet fqinje në rajonin e Ballkanit për të eksploruar mjekësinë malore, sigurinë dhe trajnimin nën udhëheqjen e ekspertëve ndërkombëtarë.
- Anëtarësimi i Shërbimit Kërkim-Shpëtimi Malor i Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar për Kërkim Shpëtim (ICAR), duke e bërë Kosovën pjesë të rrjetit botëror për siguri dhe shpëtim në male. Ky sukses është rezultat i angazhimit të madh të Vullnetarëve të Ekipit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, që janë në gatishmëri dhe shërbim në çdo kohë, ndaj turistëve në nevojë, kontributi i te cilëve ka rritur sigurinë për vizitorët vendor e ndërkombëtarë në Kosovë dhe në rajon, kurdo që paraqitet nevoja.
Gjithashtu, ministrja Hajdari përgëzoj Shoqatën e Udhëheqësve Malor të Kosovës, për angazhimin dhe sukseset në promovimin dhe përfshirjen e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, përmes:
- Certifikimit të Udhëheqësve Malor nga Kosova dhe vendet e rajonit, sipas standardeve të Unionit të Shoqatave Ndërkombëtare të Udhëheqësve Malorë (UIMLA)
- Progresit të arritur me hapa të sigurt në vazhdim, drejt anëtarësimit të Kosovës në UIMLA.
‘’ Këto suksese të bjeshkatarëve vendor dhe udhëheqësve malor, janë arritje të jashtëzakonshme për të prezantuar bukuritë e Kosovës, për të zhvilluar e promovuar turizmin malor dhe për të fuqizuar sportin, për zhvillim të përgjithshëm të vendit tonë’’ , theksoi ministrja Hajdari, në urimin e saj për Ditën Botërore të Turizmit 2025!