Lajme

Ministrja Hajdari së bashku me Kryeministrin Kurti morën pjesë në hapjen e Edicionit të 8-të të Konventës vjetore të Industrisë së Drurit

Prishtinë, 27/11/2025

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti morën pjesë në hapjen e Edicionit të 8-të të Konventës vjetore të Industrisë së Drurit, një ngjarje që po kthehet në platformën kryesore të bashkëpunimit, inovacionit dhe vizionit për të ardhmen e sektorit të drurit në Kosovë.

Industria e drurit dhe mobilerisë ka qenë gjithmonë një prej sektorëve më të qëndrueshëm dhe më kreativ të ekonomisë sonë. Kjo industri ndërthur mjeshtërinë tradicionale me potencial të jashtëzakonshëm modernizimi. Ky sektor nuk përfaqëson vetëm prodhim, por edhe inovacion, dizajn, eksport, dhe krijim të vendeve të punës cilësore.

Në një treg global ku produktet natyrore dhe të personalizuara marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, Kosova ka mundësinë të pozicionohet si një prodhuese konkurruese dhe kreative.

Programet mbështetëse të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ( MINT), të zbatuara përmes agjencisë KIESA, kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në transformimin teknologjik të industrisë. Blerja e makinerive moderne, automatizimi industrial, inovacioni, dixhitalizimi, certifikimi dhe pjesëmarrja në dhjetëra panaire ndërkombëtare, për çdo vit, kanë fuqizuar ndërmarrjet dhe kanë rritur kapacitetet eksportuese të Kosovës, kryesisht me eksport në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Industria e drurit dhe mobilerisë, si një nga kontribuuesit më të fuqishëm në uljen e deficitit tregtar të Kosovës, krijon mundësi të rëndësishme punësimi, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e rinj të zanateve. Përmes arsimit profesional, trajnimeve duale dhe bashkëpunimit mes bizneseve dhe shkollave profesionale, ne mund të ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, kreative dhe të gatshme për sfidat e tregut modern.

Konventa e sotme e Drurit na kujton se, zhvillimi ekonomik nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë mjedisore. Ne duhet të promovojmë shfrytëzimin e qëndrueshëm të drurit, rigjenerimin e pyjeve, përdorimin e materialeve të riciklueshme dhe zbatimin e standardeve të gjelbra në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit.

MINT synon të identifikojë grupe produktesh që mund të kontribuojnë në zëvendësimin e importeve dhe rritjen e vlerës së produkteve vendore. Në këtë kontekst, bazuar në ‘’Studimin për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe mallrave të përpunuara minimalisht në Kosovë’’, produktet e drurit janë një nga grupet kryesore që do të kontribuojnë në rritjen e vlerës së shtuar vendore.

Një tjetër studim i MINT "Hartimi i Simbiozës Industriale në Kosovë" që është në zhvillim, thekson se industria e drurit pritet të luajë një rol kyç në konceptin e industrisë qarkore, duke kontribuar në prodhimin e produkteve të gjelbra që mbështesin ruajtjen e mjedisit. Sipas Industrisë qarkore ne duhet të mendojmë ndryshe: të ripërdorim, të riciklojmë dhe të reduktojmë mbeturinat. Drejtimet e reja të dizajnit, përdorimi i mbetjeve të drurit për produkte të reja dhe rikthimi i materialeve në proces janë një mundësi enorme që krijon vlerë të shtuar ndërkohë që mbron mjedisin.

Konventa e Drurit 2025 është një mundësi unike për të bashkëpunuar, shkëmbyer ide dhe krijuar mundësi për të rritur vlerën e këtij sektori. Angazhimi i të gjithë akterëve të industrisë, nga prodhuesit, Qeveria, deri tek institucionet kërkimore dhe organizatat ndërkombëtare, do të jetë thelbësor për të krijuar një sektor të fuqishëm dhe konkurrues, që jo vetëm që kontribuon në rritjen ekonomike të barabartë, por gjithashtu nxit zhvillimin e një industrie të gjelbër dhe të qëndrueshme.

Uroj që Konventa e Drurit 2025 të sjellë frymëzim, partneritete të reja dhe hapa konkretë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të begatë.

Falënderoj Shoqatën e Përpunuesve të Drurit për Mirënjohje ndaj meje, për përkushtimin dhe punën gjatë mandatit tim si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke besuar në industrinë vendore me rol kyç në zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë.