Lajme

MINT vendos masa për mbrojtjen e konsumatorëve në tregun e naftës

Prishtinë, 16/12/2025

Sot, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë në tregun vendor.

Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien.

Me këtë vendim është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar si në vijim:

Shitja me shumicë: deri në 2 euro/cent për litër;

Shitja me pakicë: deri në 12 euro/cent për litër.

Përmes këtij vendimi të sotëm, që hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, çdo herë, me punë e veprime të guximshme do të ndërmarrë masa për të mbrojtur konsumatorët dhe për të promovuar konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës.