Ministrja Hajdari priti në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj
Prishtinë,
20/01/2026
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë znj.Rozeta Hajdari priti në takim Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, z. Borut Blaj, i shoqëruar nga Këshilltarja e Ministrit, znj. Milena Radenković.
Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, shtetit mik, z. Blaj, ministrja Hajdari e njoftoi për progresin e arritur në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe reformave për një mjedis biznesi të drejtë, fleksibël dhe të orientuar drejt inovacionit, që e ka bërë Kosovën një destinacion më konkurrues dhe më tërheqës për investimet e huaja direkte në Evropën Juglindore.
Progresi i arritur në fushat ekonomike, demokratike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare më të fundit: OECD Competitiveness Policy Outlook 2024, 2024 Corruption Perception Index of Transparency International, 2024 FDI Intelligence, Financial Times, Gallup Global Safety Report 2025, si dhe raportet e Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore, të cilat theksojnë se Kosova ka përjetuar rritjen më të lartë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministrja Hajdari dhe Ambasadori z. Blaj, çmuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë dhe konfirmuan gatishmërinë për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin ekonomik përmes organizimit të Forumit Ekonomik Kosovë–Slloveni, me bashkëkryesim dhe shkëmbim përvojash në sektorë të ndryshëm ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë.