Lajme

Kosova si partner i besueshëm për investitorët francezë!

Prishtinë, 06/02/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mori pjesë në ngjarjen “French Business Day”, e cila mblodhi 50 kompani franceze, investitorë, udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës, udhëheqës të sektorit privat dhe partnerë ndërkombëtarë. Qëllimi i kësaj ngjarje ishte të diskutohen mundësitë e reja për bashkëpunim dhe zgjerim të bizneseve, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes si një destinacion i ri për investime.

Në këtë kuadër, ministrja Hajdari pati privilegjin e veçantë të duke mbajtur një fjalim 15-minutësh, ku prezantoi vizionin dhe arsyet pse Kosova po shfaqet sot si një treg tërheqës për kompanitë franceze.

Ministrja tha se vendi ynë është dinamik dhe ambicioz – i gatshëm të ndërtojë jo vetëm një ekonomi konkurruese, por edhe një të ardhme të integruar fuqishëm në tregun evropian. Sipas saj, Kosova është sot një vend ku qëndrueshmëria, inovacioni dhe partneriteti bashkohen.

Ministrja Hajdari tha se arritjet ekonomike dhe stabiliteti janë dëshmi e progresit, duke shtuar se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kosovës është mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor.

“Gjithashtu eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar, ndërsa borxhi publik është më i ulëti në rajon. Raporti i Financial Times FDI Intelligence e renditi Kosovën të pestën globalisht për performancën e FDI Greenfield, ndërsa OECD Competitiveness Outlook 2024 theksoi përparimet tona në politikat e investimeve, lehtësimin e tregtisë dhe turizmin”, tha ministrja Hajdari.

Ministrja nënvizoi se qeverisja dhe siguria janë shtylla të tjera të forta dhe se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në qeverisje dhe transparencë.

“Në vitin 2021, u përmirësuam me 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, dhe deri në vitin 2024 arritëm përmirësimin më të madh ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Ministrja deklaroi se Raporti ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të shtatorit 2025, e ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e pozicionuar të tretën globalisht dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin e tyre në institucionet e rendit dhe ligjit.

Ky vlerësim, sipas ministres, është një dëshmi e qartë se Kosova po konsolidohet si një vend i sigurt, i qëndrueshëm dhe i besueshëm – një destinacion i rëndësishëm për jetesë, turizëm dhe investime.

Ministrja përmendi edhe autostradat moderne, aeroporti ndërkombëtar dhe projekti hekurudhor Durrës–Prishtinë me vlerë €2 miliardë.

“Ky projekt do të lidh portet e Adriatikut me ekonomitë e brendshme, duke krijuar një korridor të ri tregtar duke forcuar integrimin rajonal, si dhe do të kontribuojë në Agjendën e Gjelbër. Për kompanitë franceze, kjo nënkupton logjistikë efikase, ulje të kostove të transportit dhe qasje direkte në tregjet rajonale dhe të BE-së”, tha ministrja.

Ministrja vuri në dukje se edhe fuqia punëtore e re dhe inovative është një thesar.

“Me 70% të popullsisë nën moshën 35 vjeç, Kosova ofron profesionistë shumëgjuhësh, digjitalë dhe ambiciozë. Në sektorin e TIK, 90% e të ardhurave vijnë nga eksportet në Gjermani, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA”, tha ajo.

Ministrja theksoi se e ardhmja e industrisë kosovare është digjitale, e gjelbër dhe inovative. Po ashtu Strategjia e Zhvillimit Industrial 2030 synon modernizim, digjitalizim dhe përshtatje me standardet e BE-së, si dhe parqet industriale dhe teknologjike, inkubatorët e biznesit dhe qendrat e inovacionit po e shndërrojnë Kosovën në një qendër rajonale për startup-e dhe industri kreative.

Ministrja po ashtu tha se integrimi financiar është një tjetër përparësi, Kosova përdor Euron si monedhë zyrtare dhe po ecën drejt integrimit të plotë në SEPA, duke mundësuar pagesa të menjëhershme dhe të sigurta në euro.

“Qasja në tregjet ndërkombëtare është e gjerë: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE, anëtarësimi i plotë në CEFTA dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA hapin dyert e Kosovës drejt një tregu prej mbi 500 milion konsumatorësh”, tha ajo.

Ministrja theksoi se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për bizneset dhe investitorët ndërkombëtarë!

“Trendi pozitiv i regjistrimit të bizneseve në ARBK në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konfirmon se gjatë periudhës janar 2021 – janar 2026, janë regjistruar 59,353 biznese të reja, prej të cilave 53,598 me pronarë vendor dhe 5,755 me pronarë të huaj. Kjo paraqet një rritje prej 18% krahasuar me periudhën 2015–2020. Veçanërisht, interesi nga Evropa është rritur dukshëm, duke reflektuar besimin e shtuar të investitorëve evropianë në tregun kosovar. Gjatë periudhës janar 2021– janar 2026, janë regjistruar gjithsej 1,335 biznese me pronarë nga vendet evropiane, krahasuar me 823 të regjistruara në periudhën janar 2015– janar 2020”, tha ministrja Hajdari.

Sipas ministres, kjo paraqet një rritje prej afërsisht 62%, duke reflektuar një interes të shtuar nga investitorët evropian.

“Mesazhi im për kompanitë franceze: Kosova ofron një kombinim të rrallë – rritje ekonomike, reforma në qeverisje, siguri, lokacion strategjik, talent të ri, stabilitet të euros, qasje të zgjeruar tregtare dhe mundësi industriale. Me Francën si partner strategjik, mund të ndërtojmë projekte të përbashkëta, të forcojmë zinxhirët e furnizimit dhe të avancojmë drejt teknologjive të së ardhmes. Kosova është gati të ecë përpara – si shtet partner në qëndrueshmëri, inovacion dhe rritje”, tha ministrja Hajdari.