Raporti i Progresit 22 mars 2021 - 11 shkurt 2026 i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës
Prishtinë,
12/02/2026
Gjatë mandatit të ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në bashkëpunim me stafin e kësaj ministrie, partnerët për bashkëpunim dhe zhvillim, ekspertët dhe akterët tjerë përkatës, janë arritur përparime të rëndësishme në forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe integritetin institucional.
Këto përparime u filluan me ndarjen dhe qartësimin e kompetencave mes politikëbërjes dhe ekzekutimit, në kuadër të funksioneve dhe përgjegjësive të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe me eliminimin e autorizimeve të paligjshme dhe praktikave të dëmshme korruptive në sektorët e ndryshëm, përkatësisht metrologjisë, naftës, duhanit dhe infrastrukturës së cilësisë.
Në vijim është progresi i arritjeve kryesore të MINT gjatë periudhës mars 2021- shkurt 2026:
Përmirësimi i ambientit për biznes të drejtë, konkurrues dhe të qëndrueshëm:
• Miratimi i Strategjisë së parë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 – (SZHIMB) - 'Politika Industriale' dhe i Planit të Veprimit për vitet 2023-2025, për të transformuar industrinë e Kosovës në një industri të integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe ofron punësim të denjë;
• Raportet e studimeve sektoriale për zinxhirët e vlerës - industria kimike, metalike, minerale jo-metalike, ushqim e pije, tekstilit, plastikës, TIK;
• Raporti i studimit për identifikimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës;
• Raportet e studimit për shfrytëzimin e burimeve natyrore, simbiozat industriale dhe transformimin e parqeve industriale me karakteristika miqësore për mjedisin;
• Me prioritet të lartë arritëm reformat e shumëpritura në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe është siguruar përafrimi me Acquis të BE-së dhe konventat ndërkombëtare përkatëse. Janë miratuar 19 ligje dhe 7 projektligje në process për miratim, si dhe miratuam 56 akte nënligjore në harmoni me parimet e standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së, për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve të qëndrueshme, mbrojtjen e konkurrencës, tregtinë me jashtë, reformën në mbikëqyrjen e tregut, mbrojtjen e konsumatorit, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe turizmin e qëndrueshëm. Këto reforma janë theksuar në Raportet e Progresit nga BE për Kosovën, në vitet 2023 dher 2024;
• Eshtë lehtësuar barra administrative dhe financiare të bizneseve, përmes digjitalizimit të shërbimeve, thjeshtëzimit të procedurave dhe uljes së theksuar të tarifave për leje e licensa; kohëzgjatja e afatshmërisë për lejet dhe licencat për produkte të naftës dhe duhanit, është tani në 6 vite, në krahasim nga 2 vite sa ishte më parë. Tarifat për tregti me produkte të naftës janë ulur nga 500 deri në 5,000 sa ishin më parë, në 50-euro për të gjitha llojet e lejeve. Njësoj janë ulur edhe tarifat për tregti me produkte të duhanit. Nga 3,000 deri në 20,000-euro sa ishin, në 55-euro për të gjitha llojet;
• Janë licencuar 98% të operatorëve ekonomikë të tregut të naftës (në vitin 2019 ishin mbi 50% operatorë ekonomikë të pa licencuar);
• Të dhënat për bizneset e regjistruara tregojnë një trend të qartë rritës në vitet e fundit. Në periudhën 01 mars 2015 – 28 shkurt 2020 janë regjistruar 49,546 biznese, ndërsa nga 01 mars 2021 deri më 31 janar 2026 janë regjistruar 57,543 biznese, që paraqet një rritje prej rreth 16.1%. Kjo dëshmon për një dinamikë më të lartë të aktivitetit sipërmarrës dhe një klimë më të favorshme për zhvillimin e biznesit;
• Janë regjistruar 858 biznese të reja në komunat veriore të vendit;
• Po ashtu, rritje e theksuar është shënuar edhe te bizneset me pronar të huaj. Nga 3,408 biznese në periudhën 1 mars 2015 – 28 shkurt 2020, numri është rritur në 5,649 në periudhën 1 mars 2021 – 31 janar 2026, që përfaqëson një rritje prej rreth 65.8%. Ky zhvillim reflekton rritjen e interesimit të investitorëve të huaj dhe forcimin e besimit në tregun vendor;
Janë mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme dhe ndërmarrjet "start up":
• Përmes skemave të granteve nga agjencia KIESA dhe programit CERP në kuadër të MINT, mbështetëm 774 ndërmarrje mikro, të vogla, të mesme dhe ndërmarrje start up (prej tyre 30% në pronësi të grave) në vlerë prej 32.2 milionë euro, për avancim të makinerisë, standardizim, certifikim të produkteve, dixhitalizim, nxitje te inovacionit, industri kreative dhe zhvillim të artizanatave, subvencionuam kreditë investuese për 450 biznese me 12.4 milionë euro përmes masës 2.1; Mbështetje shtesë për mijëra ndërmarrje, është ofruar edhe nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore;
• Përmes agjencisë KIESA janë mbështeur edhe 500 ndërmarrje vendore në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në 60 panaire ndërkombëtare, në më shumë se 20 shtete, me mbështetje financiare prej 5 milionë eurosh;
• Mbështetja ndaj ndërmarrjeve dhe kontributi i ndërmarrësve të vyer e shumë inovativ vendor, rezulton me rritje të eksporteve për 100%; përmirësimin e raportit eksport-import nga 1:9 në 1:6, dhe rritjen e qarkullimit të ndërmarrjeve për 75%.
Rritje rekord e inspektimeve:
• Rekord i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut me rritje me 19,792 inspektime gjatë mandatit tonë qeverisës mars 2021 – janar 2026, në krahasim me 6,324 inspektime gjatë periudhës 2017-2020.
Mbrojtja e konsumatorit dhe rritja e besueshmërisë:
· Gjatë periudhes mars 2021 – mars 2025, trajtimi i ankesave të konsumatorëve është rritur me 20% (në përqindjen e trajtimit nga totali i ankesave të pranuara), pavarësisht rritjes së numrit të ankesave. Janë trajtuar 5,686 ankesa nga 12,881 të pranuara në Departamenti për mbrojtjen e konsumatorit, krahasuar me 937 nga 2,058 në periudhën 2017–2020. Ndërkohë, pranimi i ankesave është rritur për rreth 600%. Vetëm në vitin 2024, trajtimi është rritur me 23%, me 2,153 ankesa të trajtuara nga 3,152 të pranuara, krahasuar me 209 nga 460 në vitin 2019;
· Është forcuar mbikëqyrja e tregut me largimin e produkteve jo cilësore të ndërtimit, përfshirë armaturë të pavlefshme që qarkullonte prej 20 vitesh. Janë revokuar licencat e 4 operatorëve për keqpërdorim në prodhimin e vajrave industriale; në vitin 2022 janë sekuestruar mbi 300,000 litra karburante jo konforme të destinuara për MM/FSK. Janë nxjerrë 12 vendime për caktimin e marzhave të çmimeve të derivateve dhe rezerva shtetërore është rritur 30-fish;
Shtrirja e marrëdhënive ndërtregtare ndërkombëtare:
· Miratimi i Ligjit për Tregti me Jashtë, sipas parimeve të Organizatës Botërore tëTregtisë ( OBT);
· Janë finalizuar negociatat dhe është nënshkruar Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra) pas katër raundeve negociatash (qershor 2022 – shtator 2024). Marrëveshja përfshin tregtinë e mallrave (industriale dhe bujqësore), pronësinë intelektuale, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, konkurrencën, masat mbrojtëse dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Përveç tregtisë së mallrave, Kosova është i vetmi vend në rajon që ka negociuar edhe kapitullin e tregtisë së shërbimeve (transport, TIK, shërbime profesionale, marketing, përkthim dhe konsulencë), duke i mundësuar kompanive kosovare qasje të lirë dhe të shpejtë në tregun e vendeve të EFTA-s. Marrëveshja u nënshkrua në janar 2025 në konferencën ndërkombëtare të Davosit, në Zvicër;
· Pas 15 viteve zbatim të CEFTA-së, është larguar përfaqësimi i UNMIK në CEFTA, me kërkesën zyrtare të parashtruar nga Qeveria jonë më 24 shtator 2021. Nga 9 tetori 2024, Kosova përfaqësohet në CEFTA vetëm nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK. Me 6 mars, 2025, Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për herë të parë, kryesoi Takimin Special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-së në Prishtinë, Kosovë;
· Në vitin 2025, Kosova mori kryesimin e CEFTA-s, duke dëshmuar lidership rajonal dhe duke siguruar vazhdimësinë institucionale, përfshirë përzgjedhjen e Drejtores së Sekretariatit pas një bllokade dyvjeçare. Gjatë Javës së CEFTA-s në Prishtinë, nën kryesimin e ministres se MINT dhe në përfaqësim të shtetit tonë në CEFTA, u organizua Takimi i Komitetit të Përbashkët me pjesëmarrjen e të gjitha palëve dhe Komisionit Evropian. Ky takim rezultoi me miratimin e katër vendimeve kyçe për avancimin e lehtësimit të tregtisë së lirë. Kryesimi i Republikës së Kosovës përmes MINT, rezultoi në miratimin e 13 vendimeve, përfshirë avancimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, forcimin e bashkëpunimit dixhital, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut doganor dhe mbështetjen e institucioneve të mbikëqyrjes së tregut. Këto arritje rikonfirmojnë angazhimin e Kosovës për integrim ekonomik rajonal dhe afrimin e Tregut të Përbashkët Rajonal drejt Tregut të Vetëm të BE-së, duke dëshmuar rolin aktiv dhe konstruktiv të vendit në bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian;
· Miratuam vendimet e Komitetit të Përbashkët të Konventës (PEM) mbi Rregullat e Origjinës, për lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e eksporteve të prodhuesve vendor, në kushte të barabarta të tregtisë ndërkombëtare me vendet anëtare të PEM - 25 vende të BE-së, shtetet e EFTA-s, vendet e CEFTA-s, si dhe disa vende të tjera partnerë si Turqia, Egjipti dhe Izraeli;
· Kosova u pozicionua si lider rajonal në politikat tregtare, me përparime të dukshme që nga viti 2021, sipas OECD raportit ‘’Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore: “Një perspektivë e politikave 2024’’;
· Kosova është bërë pjesë e programit të BE-së "Tregu i Përbashkët" në vlerë prej 4.2 miliardë eurosh për mbështetje të bizneseve dhe organizatave, për periudhën 2021-2027;
· Janë mbajtur 14 forume ekonomike/biznesore për investime dhe tregti me Austrinë, Poloninë, Greqinë, Kroacinë, Suedinë, Italinë, Hungarinë, Izraelin, Slloveninë e Turqinë;
· Janë mbajtur 9 sesione informuese me bizneset e diasporës në Gjermani, Belgjikë dhe Francë, Angli, Kanada, Luksemburg dhe Suedi, me fokus nxitjen e tyre për të investuar në Kosovë.
Nxitja dhe mbrojtja e Investimeve:
Kosova ka arritur përparime të konsiderueshme në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), duke reflektuar një klimë investuese më të qëndrueshme dhe besimin e investitorëve ndërkombëtarë.
• Hartimi i Strategjisë e parë Kombëtare për Investime 2030, në pritje për miratim në Qeveri;
• Ligji për Investime të Qëndrueshme solli reformën për nxitjen, mbrojtjen dhe sigurinë e investimeve të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare ( OKB, OECD, BE) Kosova pozicionohet në vendin e 2-të në Evropën në zhvillim, dhe në vendin e 5-të në botë, për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në raport me BPV-në, sipas raportit të fundit nga FDI Intelligence, mbështetur nga Financial Times. Kosova ka bërë përmirësime të dukshme nga viti në vit nga 2022 në 2023, duke u renditur e 4-ta në botë, për tërheqjen e IHD-ve, duke tejkaluar kështu vendet fqinje;
• Trajtimi i të gjitha aplikacioneve për marrjen e statusit të Investitorit Strategjik, me rezultat në shpallje të dy investitorëve strategjik, në sektorët prioritar të përpunimit të ushqimit dhe energjisë së ripërtritshme;
• Janë nënshkruar 5 Protokolle të Komisioneve të Përbashkëta për Bashkëpunim Ekonomik: Kosovë – Austri; Kosovë – Hungari; Kosovë – Çeki; Kosovë – Turqi dhe Kosovë - Emiratet e Bashkuara Arabe;
• Rritja e investimeve te huaja direkte është 135%, duke treguar një trend të qëndrueshëm rritës.
Reformë dhe investime në parqe industriale efektive, me karakteristika miqësore për mjedisin dhe rritje e hapësirave për 400 biznese vendore e ndërkombëtare:
• Janë funksionalizuar Parqet Industriale në: Viti, Shirokë–Suharekë dhe Vushtrri, me investime prej 1.3 milion eurosh;
• Është themeluar Parku Industrial në Drenas 2 (36.5 ha), me investim 7.7 milionë euro; ku punimet janë në zhvillim;
• Në Qylagë–Lipjan ka përfunduar Faza 4 (600,000 euro), ndërsa janë ndarë edhe 2 milionë euro për fazën e radhës;
• Në Opterushë–Rahovec kanë nisur investimet (1.5 milion euro), me 1 milion euro shtesë për 2024–2025 (35 ha);
• Për Parkun në Frashër–Mitrovicë (48 ha) janë ndarë 1.1 milion euro; procesi i kontraktimit është në përfundim;
• Është themeluar Parku Industrial në Livadicë–Podujevë (29 ha), me 3.5 milionë euro për 2024–2026.
Inovacioni dhe Ndërmarrësia:
• Hartimi i Strategjisë së Inovacion dhe Ndërmarrësi 2030, në proces të finalizimit;
• Hartimi i Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, në pritje për miratim në Qeveri;
• Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, është dhënë në shfrytëzim për 5 vjet Inkubatori i Biznesit "Tech Park" në Bërnicë të Prishtinës, me sipërfaqe 3930 m²;
• Mbështetje financiare me 6 milionë euro, për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, me rreth 40 hektarë hapësira të gjelbra dhe 50 ndërtesa për zhvillim të ekosistemit të inovacionit;
• Eshtë funksionalizuar Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me hapësirë 1000 m² në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, me investim prej 1 milion eurosh;
• Eshtë finalizuar ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit në Malishevë dhe është rinovuar Parku Teknologjik në Shtime, me investime kapitale prej 440,000 eurosh;
• Eshtë themeluar Inkubatori i Biznesit në Universitetin "Haxhi Zeka" në Pejë, tani në inicim të procedurës për ndërtim, me investime kapitale në vlerë prej 3 milionë euro;
• Kosova pjesë e Programit të Bashkëpunimit për Zhvillim nga Dukati i Madh të Luksemburgut, për të përfituar nga fondet ‘’LuxAid Challenge Fund’’ dhe ‘’LuxAid Demonstration Fund’’, për angazhim të sektorit privat vendor për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Fuqizim i mbrojtjes së pronësisë industriale:
• Fusha e pronësisë intelektuale ka shënuar progres të theksuar në Raportin e Progresit për Kosovën, falë avancimit të kuadrit ligjor e strategjik, rritjes së efikasitetit institucional dhe trajtimit më efektiv të rasteve. Është harmonizuar plotësisht legjislacioni me acquis të BE-së, është miratuar pas 12 vitesh Rregullorja për Strukturimin e Agjencisë për Pronësi Industriale dhe Programi për Pronësinë Industriale 2025–2027, si dokumenti i parë strategjik pas më shumë se një dekade;
• Janë zgjidhur 822 raste të trashëguara të kundërshtimeve për marka tregtare (nga 2013), duke ulur barrën procedurale dhe pasigurinë juridike. Agjencia ka regjistruar 9,657 objekte, ka proceduar 40,819 dokumente dhe ka gjeneruar 1.89 milion € të hyra. Është arritur progres historik me regjistrimin e “Djathit të Sharrit” dhe “Verërave të Rahovecit”, si dhe të treguesve ndërkombëtarë si "Cognac" dhe "Gorgonzola". Janë siguruar 750,000 CHF nga projekti Zviceran-Kosovar, marrëveshje me WIPO për digjitalizim të plotë dhe projekti EU4IP; është realizuar kalimi në IPAS 4.0, duke mundësuar shërbime elektronike. Koha e regjistrimit të markave është ulur me 46.31% (226 ditë), ndërsa vendimet pas pagesës nxirren brenda disa ditësh. Aplikimet për marka janë rritur nga 1,845 (2023) në 2,216 (2025), përfshirë rritjen e aplikimeve vendore nga 720 në 853. Janë forcuar kapacitetet përmes bashkëpunimit me EUIPO, CEFTA dhe në kuadër të Marrëveshjes me EFTA.
Përmirësimi i infrastrukturës së standardeve dhe cilësisë:
Akreditimi
· Ngritja e skemës së akreditimit për certifikim të produkteve;
· Gjatë periudhës 2021–shkurt 2026, janë akredituar 57 laboratorë testues dhe 24 trupa inspektuese. Laboratorët operojnë në fushat: ushqimi; pije alkoolike dhe joalkoolike; uji i pijes dhe shkarkues; materiale ndërtimore dhe gjeomekanikë; vajra, naftë dhe derivatet e saj; matje elektrike; siguri, shëndet dhe kushtet mjedisore në punë; biokimi dhe hematologji. Trupat inspektues operojnë në: sigurinë e ashensorëve, eskalatorëve dhe vinçave; homologim/kontrollim të automjeteve; pajisje nën presion; tahografë analogë; dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës;
· Për stafin e DAK-ut, ekspertët vlerësues dhe TVK-të aktuale/potenciale janë organizuar 17 trajnime.
· Në nëntor të vitit 2024, u ngrit skema e akreditimit për certifikim të produkteve;
· Në tetor të vitit 2025, DAK u bë anëtar i asociuar në “Global Accreditation Cooperation Incorporated”;
· Në dhjetor të vitit 2025, DAK ka dërguar shprehjen e interesit për Marrëveshjen Multilaterale me Organizatën Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim (EA) dhe po përditëson procedurat. Në të njëjtin muaj u miratua rregullorja e re e organizimit institucional sipas praktikave të BE-së dhe u krye një auditim ndërkombëtar për verifikimin e praktikave të EA-së.;
· Gjithashtu, janë rekrutuar 10 ekspertë të rinj vlerësues, të përfshirë në listën e vlerësuesve të jashtëm të DAK-ut.
Standardizimi
Për herë të parë është “Info Center” në Agjencinë Kosovare të Standardizimit, me qasje të plotë për të gjitha palët e interesit, duke përfshirë:
Standardet e miratuara dhe ato në procedure;
· Kornizën ligjore dhe direktivat evropiane;
· Këshillin profesional të standardizimit dhe komitetet teknike;
· Fjalorin terminologjik dhe katalogun e standardeve;
· Standardet në fuqi dhe të shfuqizuara, shitjen dhe çmimet e standardeve;
· Publikime të tjera.
Qendra e bën më të lehtë qasjen për bizneset dhe institucionet qeveritare, duke mundësuar harmonizimin e mjedisit rregullator, përmirësimin e transparencës dhe qartësinë e kërkesave teknike.
Shitja e standardeve online përmes platformës e-Kosova: ekosova.rks-gov.net
· Mars 2021 – janar 2026: 555 standarde kosovare të shitura;
· Janë shfuqizuar 3,627 standarde kosovare;
· Janë adaptuar 1,752 standarde EN dhe ISO/IEC.
Metrologjia
· Për herë të parë në Kosovë, janë akredituar ndërkombëtarisht 5 laboratorë kalibrues të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (masë, vëllim, termometri, forcë dhe presion) në kuadër të MINT;
· AMK u bë anëtare e IMEKO (International Measurement Confederation);
· Janë nënshkruar marrëveshje të vitit bashkëpunimit me institucionet e metrologjisë në Çeki, Institutin ILMK dhe Fakultetin e Termometrisë SIQ në Slloveni;
· Zhvillim i laboratorëve: shtim i Laboratorit për gjatësi dhe matje dimenzionale dhe Laboratorit të momentit në përdredhje;
· Eshtë bërë rritje e ndjeshme në numrin e verifikimeve në Metrologji Ligjore;
Zhvillimi i turizmit:
· Eshtë miratuar Strategjia e parë e Turizmit 2030, Planin e Veprimit 2024–2026 dhe Ligjin për Turizmin, me synimin se deri në vitin 2030 Kosova të shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues në Ballkanin Perëndimor;
· Për herë të parë u përcaktuan kushtet, kriteret dhe procedurat për regjistrimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë, u rregullua veprimtaria e agjencive të udhëtimit, u vendosën standarde për shërbimet e turizmit aktiv dhe aventuror, si dhe u themelua Regjistri i Turizmit;
· Janë nënshkruar protokolle për bashkëpunim ekonomik në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera ekonomike me Austrinë, Hungarinë, Çekinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit me Shqipërinë, Kroacinë dhe Izraelin;
· Republika e Kosovës mori pjesë për herë të parë në “EXPO 2020” në Dubai, krahas 192 shteteve, dhe vazhdoi promovimin në “ITB Berlin”. Për herë të parë, potenciali turistik i vendit tonë, u promovua edhe në tregun skandinav përmes “Travel News Market” në Stokholm dhe në “World Travel Market London”. Janë mbështetur operatorët turistikë për pjesëmarrje në këto panaire, si dhe janë mbështetetur organizimi i dy panaireve të mëdha të turizmit në vend. Po ashtu është mbështetur organizimi i takimit të “Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Shoqatave të Alpinizmit (UIAA) 2025”, e mbajtur për herë të parë në Pejë, Kosovë;
· Kosova ka shënuar rritje të vazhdueshme në turizëm. Nga 2021 deri në 2025, numri i vizitorëve dhe net-qëndrimeve është rritur ndjeshëm: në vitin 2023 turistët u dyfishuan krahasuar me 2019, ndërsa në 2024 dhe 2025 u rritën me 12% dhe 9.3%. Krahasuar me periudhën 2017–2020, në vitet 2021–2024 është shënuar rritje prej 50% e turistëve. Deri në fund të vitit 2025, net-qëndrimet arritën në 1.6 milion, gjysma nga vizitorë të huaj – trefish më shumë se në 2019;
· Ky trend konfirmon turizmin si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë.
Avancimi i Kornizës Ligjore dhe Ligjet e Miratuara gjatë periudhës mars 2021 – shkurt 2026:
Gjatë periudhës 2021–2026, është ndërtuar dhe forcuar korniza ligjore në Kosovë, me miratimin e 19 ligjeve dhe 56 udhëzimeve administrative që rrjedhin nga këto ligje. Këto ligje përfshijnë:
1. Ligji Nr. 08/L-029, për punimet nga metalet e çmuara;
2. Ligji Nr. 08/L-067, për inspektimet;
3. Ligji Nr. 08/L-053, për topografitë e gjysmëpërçuesve;
4. Ligji Nr. 08/L-059, për patentat;
5. Ligji Nr. 08/L-055, për dizajnin industrial;
6. Ligji Nr. 08/L-021, për tregtinë me jashtë;
7. Ligji Nr. 08/L-018, për tregtinë me produkte të naftës dhe karburantet e ripërtërishme;
8. Ligji Nr. 08/L-076, për mbrojtjen e sekreteve tregtare;
9. Ligji Nr. 08/L-056, për mbrojtjen e konkurrencës;
10. Ligji Nr. 08/L-074, për turizmin;
11. Ligji Nr. 08/L-055, për dizajnin industrial (përsëritje e ligjit, në rast se është e qëllimshme);
12. Ligji Nr. 08/L-075, për markat tregtare;
13. Ligji për investime të qëndrueshme;
14. Ligji për parqet industriale dhe teknologjike;
15. Ligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve;
16. Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-037, për metrologji;
17. Ligji për regjistrin e pronarëve përfitues;
18. Ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e tregut të vetëm;
19. Ligji për inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut.
Në pritje për miratim në Qeveri:
1. Projektligji për Shoqëritë Tregtare;
2. Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi;
3. Projektligji për Tregtinë e Mbrendshme;
4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-056 për Tregti me Produktet e Naftës dhe Karburantet e Ripërtritshme.
Në pritje për miratim në Kuvend:
5. Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorit;
6. Projektligji për Rezervat e Detyrueshme të Naftës.
Kjo përmbledhje paraqet një avancim të konsiderueshëm të kornizës ligjore, duke krijuar bazën për qeverisje efektive dhe rregullim të qëndrueshëm të tregut dhe ekonomisë.