Lajme

Ministrja Kusari-Lila dhe ministri Maqedonci diskutuan për koncept-dokumentin e Projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes

Prishtinë, 26/02/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin diskutoi për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë.

Gjatë takimit u zhvillua mbledhja e parë në këtë mandat me grupin punues të dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Nën drejtimin e ministrit Maqedonci, u shqyrtua koncept-dokumenti i Projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes, përfshirë strukturën dhe organizmat që parashihen me këtë projektligj.

Në takim u diskutua për dispozitat kryesore të draftit, si dhe shtrirja ndërsektoriale e industrisë së mbrojtjes, me synim krijimin e një kornize që mundëson zhvillim të qëndrueshëm dhe koordinim institucional.

Grupi punues do të vijojë punën në ditët në vijim për finalizimin e koncept-dokumentit dhe hartimin e draftligjit, në përputhje me prioritetet e përcaktuara për këtë mandat.