Lajme

MINTI dhe STIKK bashkërendojnë hapat për avancimin e industrisë së teknologjisë

Prishtinë, 27/02/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim drejtoreshën ekzekutive të STIKK-ut, znj. Vjollca Çavolli, së bashku me anëtarët e Bordit të kësaj organizate.

Gjatë takimit u diskutua në detaje për inovacionin dhe procesin e finalizimit të Ligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion, si një nga nismat kyçe për zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në vend.

Palët trajtuan gjithashtu potencialin e të rinjve në industrinë e teknologjisë informative dhe planet për avancimin e sektorit, duke përfshirë themelimin dhe promovimin e ICT Tower, si dhe format ndërsektoriale të bashkërendimit të aktiviteteve për promovimin e Kosovës dhe të mundësive për kompanitë e IT-së.

Ministrja theksoi se sektori i teknologjisë informative ka shtrirje horizontale në ekonomi, duke ndikuar pothuajse në çdo fushë të veprimit institucional dhe ekonomik.

Bashkërendimi në vendimmarrje dhe bashkëpunimi i ngushtë me akterët relevantë do të mbeten prioritet në katër vitet e ardhshme, me synim arritjen e rezultateve konkrete në rritjen ekonomike, punësim dhe avancim teknologjik.