Lajme

Zhvillimi i sektorit minerar dhe industrial, prioritet për Qeverinë e Kosovës

Prishtinë, 04/03/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, është duke marrë pjesë në Konventën vjetore ndërkombëtare për eksplorimin e minierave e mineraleve, PDAC 2026 në Toronto, të Kanadasë.

Gjatë qëndrimit ministrja Kusari- Lila ka theksuar se zhvillimi i sektorit minerar në kohën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike kërkon fokus të qartë strategjik, partneritete me vende mike dhe demokratike, si dhe standarde të larta të qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Sipas saj, prioritet mbetet siguria e zinxhirit të furnizimit, nga faza e ekstraktimit deri te industria përpunuese në mënyrë që resurset minerare të shndërrohen në vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.

Në këtë drejtim, ministrja theksoi se Qeveria e Kosovës po punon për forcimin e bashkëpunimit me agjenci dhe kompani nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke rishikuar njëkohësisht kornizën legjislative për të reduktuar burokracinë dhe vonesat administrative.

Paralelisht, po zhvillohen politika për të mbështetur industrinë përpunuese vendore, me qëllim që lënda e parë minerare të mos eksportohet vetëm si resurs, por të përpunohet dhe të kthehet në produkte finale.

Gjatë pjesëmarrjes në konventën ndërkombëtare Prospectors & Developers Association of Canada (PDAC), një nga ngjarjet më të mëdha globale të industrisë minerare, ministrja zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të disa provincave kanadeze ku sektori minerar është ndër shtyllat kryesore të ekonomisë, përfshirë Saskatchewan, Alberta dhe Neë Brunswick.

Po ashtu, u realizuan takime me përfaqësues të Canadian Commercial Corporation, me zyrtarë të Natural Resources Canada, si dhe me përfaqësues të Parlamentit Federal të Kanadasë, përfshirë kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Ahmed Hussen, sekretarin parlamentar dhe deputetin liberal Rob Oliphant, si dhe deputetin konservator dhe ministrin në hije Kyle Seeback.

Sipas ministres Kusari-Lila, këto takime konfirmojnë mbështetjen e qartë të Kanadasë për zhvillimin e sektorit minerar në Kosovë dhe faktin se Kosova gëzon përkrahjen e dy forcave më të mëdha politike në Kanada – Liberalëve dhe Konservatorëve.

Në kuadër të konventës, u zhvilluan gjithashtu takime me biznese amerikane, të cilat përbëjnë një mundësi konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në dhe Kanadanë në një sektor që konsiderohet strategjik për zhvillimin afatgjatë të vendit.