Lajme

Ministrja Kusari-Lila merr pjesë në prezantimin e projektit “Stay & Thrive” për mbështetjen e të rinjve në Kosovë

Prishtinë, 11/03/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në prezantimin e projektit “Stay & Thrive”, një iniciativë që synon të vendosë në qendër rininë, ndërmarrësinë dhe mundësitë për zhvillim në Kosovë.

Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan gjetjet kryesore të hulumtimit dhe rekomandimet për mbajtjen e të rinjve në Kosovë përmes zhvillimit të biznesit dhe kulturës. Prezantimi u bë nga udhëheqësja e projektit Jeta Zagragja dhe Dr. Aidan Hehir, të cilët ndanë analizat dhe propozimet e tyre për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë në vend.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se mesazhi kryesor i projektit është i qartë, se Kosova nuk duhet të jetë vetëm vendi nga ku të rinjtë largohen për të kërkuar mundësi, por vendi ku ata kthehen për t’i krijuar ato.

Ajo shtoi se kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me drejtimin strategjik të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila synon të krijojë një mjedis ekonomik ku idetë e reja shndërrohen në biznese, ku talenti i të rinjve gjen hapësirë për zhvillim dhe ku inovacioni bëhet pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit.

Sipas ministres, Kosova ka potencial të madh zhvillimi në disa sektorë kyç, përfshirë teknologjinë dhe inovacionin, industrinë përpunuese, energjinë, bujqësinë moderne, turizmin dhe ekonominë kreative. Këto fusha, sipas saj, ofrojnë mundësi të shumta që të rinjtë të ndërtojnë karrierë dhe të krijojnë vlera të reja në vend.

Në përmbyllje, ministrja theksoi se zhvillimi i një vendi nuk varet vetëm nga politikat, por edhe nga njerëzit që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre në të, duke shtuar se Kosova nuk është vetëm vendi ku lindim, por edhe vendi ku mund të ndërtojmë suksesin tonë.