Lajme

Ministrja Kusari-Lila takoi drejtues të agjencive shtetërore

Prishtinë, 11/03/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka zhvilluar takime pune të ndara me drejtues të agjencive shtetërore: të Administratës Tatimore dhe të Doganës së Kosovës, me të cilët ka diskutuar për çështje konkrete, që lidhen me lehtësimin e të bërit biznes dhe përmirësimin e shërbimeve për ndërmarrjet dhe qytetarët.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se me drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, kanë biseduar për unifikimin dhe azhurnimin e të dhënave të bizneseve në bashkëpunim me ARBK-në, në mënyrë që informacionet për bizneset të jenë sa më të sakta dhe të përditësuara.
Po ashtu është diskutuar për uljen e burokracisë në raport me shërbimet që institucionet u ofrojnë bizneseve, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e sistemit informues të ARBK-së.

Ndërkaq, me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, ministrja ka theksuar se biseduam për mundësitë e krijimit të lehtësirave shtesë për bizneset, eliminimin e disa tarifave dhe reduktimin e burokracive në vendkalimet kufitare me vendet e rajonit. Sipas saj është diskutuar gjithashtu edhe për bashkëpunimin institucional në kontrollin e cilësisë së derivateve, si në tregun e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm.

Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përmirësimi i shërbimeve për bizneset mbeten thelbësore për një ekonomi më funksionale dhe më konkurruese.

Gjatë takimit, ministrja ka potencuar se mbështetja e ndërmarrjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për biznesin janë hapa të domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe më shumë mundësi për qytetarët tanë.