Lajme

Ministrja Kusari-Lila priti në takim Ambasadorin jorezident të Irlandës për Republikën e Kosovës, Ragnar Almqvist

Prishtinë, 12/03/2026

Ministrja e MINTI-t, Kusari-Lila ka pritur në takim Ambasadorin jorezident të Irlandës për Republikën e Kosovës, Ragnar Almqvist, me të cilin kanë biseduar për thellim të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, ministrja ka bërë të ditur se me Ambasadorin Almqvist, përveç konfirmimit të mbështetjes së vazhdueshme të Irlandës për aspiratat e Republikës së Kosovës, kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, në veçanti gjatë Presidencës së radhës së Irlandës nga korriku i këtij viti.

Kurse, ambasadori Almqvist konfirmoi se Irlanda do të vazhdojë të mbështesë përparimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Ministrja ka shtuar se kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e zonave industriale në Kosovë, duke u bazuar në përvojën e Irlandës në këtë fushë, si dhe për mundësinë që një grup ekspertësh nga Irlanda të vizitojnë Kosovën për të ndarë përvojën e tyre në krijimin dhe zhvillimin e zonave industriale të gjelbra.

Në interes të veçantë për ne, sipas ministres, është koncepti i ndërtimit të parqeve të gjelbra industriale, si një qasje moderne për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Në takim është diskutuar edhe për mundësinë e tërheqjes së investitorëve irlandezë në Kosovë, si një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Si gjithmonë, shpreha mirënjohjen time të thellë për Irlandën, si një mike dhe mbështetëse e rëndësishme e Republikës sonë”, ka vlerësuar ministrja Kusari-Lila.