Lajme

Ministrja Mimoza Kusari-Lila priti ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Petrit Malajn

Prishtinë, 08/04/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, me të cilin kanë zhvilluar një takim vëllazëror, ku riafirmuam lidhjen e fortë që bashkon dy vendet tona dhe u diskutua për hapa konkretë drejt thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për organizimin e një forumi ekonomik Shqipëri–Kosovë, që do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të hapur horizonte të reja zhvillimi për bizneset e të dy vendeve.

Sipas ministres Kusari-Lila janë dakorduar me ambasadorin Malaj për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet AIDA-s në Shqipëri dhe Agjencisë së re të Ndërmarrësisë se Kosovës.

Në kuadër të këtij takimi u bisedua edhe për integrimin evropian, që mbetet një rrugëtim i përbashkët dhe prioritet i padiskutueshëm, ndaj u zotuan për bashkërendim edhe më të madh të aktiviteteve ndërmjet dy vendeve në këtë drejtim.

Një potencial i jashtëzakonshëm që na bashkon, siç e potencoi Kusari-Lila, është edhe turizmi, ku mund të ndërtohen oferta të përbashkëta që i japin vlerë gjithë hapësirës sonë.

Ministrja Kusari-Lila dhe ambasadori Malaj kanë bashkëbiseduar në frymën e mirëkuptimit dhe solidaritetit, ku kanë ndarë edhe shqetësimet për sfidat që po përballen qytetarët tanë, veçanërisht rritjen e çmimeve, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë.

Ishte qëndrim i ministres Kusari-Lila dhe ambasadorit Malaj se Shqipëria dhe Kosova çdo ditë e më shumë duhet të afrohen përmes projekteve të përbashkëta dhe veprimeve të koordinuara, në shërbim të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë të përbashkët.