Miratohet në parim Projektligji për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg
Prishtinë,
08/04/2026
Në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës është miratuar në parim Projektligji për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, gjatë elaborimit të Projektligjit për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, ka shpjeguar se përmes këtij projektligji synohet krijimi i mekanizmave ligjorë për vendosjen e çmimeve tavan në situata të destabilizimit të tregut.
Ministrja ka theksuar para komisionit se ky projektligj është përgatitur në përputhje me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe sjell një qasje të re, më të qartë dhe më të qëndrueshme për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas saj, projektligji parasheh dy masa kryesore: përcaktimin e marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, si dhe vendosjen e çmimit maksimal të lejuar për produktet themelore në raste të caktuara.
Ajo sqaroi se për herë të parë parashihet edhe krijimi i një Bordi të Pavarur për Rregullimin e Çmimeve, i cili do të emërohet nga Kuvendi dhe do të ketë rol vendimtar në trajtimin e rasteve kur ka luhatje të mëdha të çmimeve në treg, ku ka sqaruar se ky bord do të mblidhet vetëm në situata emergjente dhe bazën do ta ketë në Ministrinë e Industrisë, Ndërrmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Ministrja Kusari-Lila ka ripohuar se mbrojtja e konsumatorit, ruajtja e konkurrencës së drejtë dhe reagimi institucional ndaj krizave në treg mbeten prioritetet tona.