KIESA mbajti Sesionin informues per bizneset për skemën e granteve për arsimin dual
Prishtinë,
17/04/2026
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka organizuar një sesion informues me përfaqësues të bizneseve për skemën e granteve për arsimin dual.
Me këtë rast, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se mekanizmat për aftësimin profesional janë thelbësorë për ngritjen e kapaciteteve të bizneseve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, duke nënvizuar rolin e ministrisë si urë lidhëse ndërmjet institucioneve dhe bizneseve, si dhe përkushtimin e saj për adresimin e nevojave të tyre.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, z. Nol Buzhala, ka vlerësuar rëndësinë e kësaj skeme për forcimin e ndërlidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës.
Gjatë sesionit, përfaqësuesit e bizneseve janë informuar në detaje për procedurat e aplikimit, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin e nevojshëm, si dhe patën mundësinë të marrin sqarime shtesë për çështje më specifike për bizneset.
Skema mbështetet nga projekti “Shkathtësitë për Punësim të Qëndrueshëm në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i implementuar nga MINTI, përmes KIESA-s, në bashkëpunim me LuxDev.
Aplikimet duhet të dorëzohen deri me datën 30.04.2026, në adresën elektronike: arsimidual@rks-gov.net