Lajme

Ministrja e MINTI-t Kusari-Lila ka prezantuar edicionin e pestë të programit EmPOWER Local Women Politicians Programme

Prishtinë, 17/04/2026

Nën organizimin e OSBE ( Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila ka marrë pjesë në prezantimin e edicionit të pestë të programit EmPOWER Local Women Politicians Programme, një iniciativë që fuqizon gratë të jenë zë i ndryshimit në shoqërinë tonë.

Në këtë takim, ku kanë marrë pjesë: znj. Edlira Çepani, moderuese të panelit, asambleistet Natyra Kuçi dhe Ardita Rrahmani, e plot gra tjera asambleiste nga mbarë Kosova,  ministrja Kusari-Lila ka thënë se me gra të përkushtuara e me vizion është diskutuar për një nga temat më të rëndësishme: “Lidershipi politik i grave, nga proceset zgjedhore në vendimmarrjen lokale”.

Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila ka treguar nga përvoja e saj se e di që kjo rrugë nuk është e lehtë, por është një rrugë që ia vlen të ndiqet, sepse çdo veprim që bëjmë sot hap mundësi për shumë gra të tjera nesër.

Ajo ka shtuar se gjithmonë ka besuar se nuk duhet të pritet momenti “perfekt”, ai moment krijohet nga guximi ynë për të vepruar, për të folur dhe për të marrë përgjegjësi. Sipas saj, bota ka nevojë për zërin, energjinë dhe vendosmërinë e grave.

Ajo iu sugjeroi atyre se le të mbështesim njëra-tjetrën, të rritemi bashkë dhe të mos ndalemi së besuari në potencialin tonë.

Për avancimin në lidershipin politik të grave në  vendimmarrje, ministrja iu uroi suksese të gjitha grave që janë pjesë e këtij rrugëtimi, sepse e ardhmja ndërtohet nga ju!