Projekti : Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport - CERP
Numri i Kredisë: 6035-XK
Rreth Projektit:
Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë është përgjegjëse për Implementimin e Projektit të Konkurueshmerisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP), 14,3 milionë euro, i financuar me hua – kredi të butë nga Banka Botërore. Qëllimi i projektit CERP është të mbështesë certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të forcojë kapacitetin e Bizneseve të orientuara kah eksporti, dhe të përmirësojë Konkurrueshmërin e tyre. Projekti është ristrukturuar për t'iu përgjigjur nevojave në ndryshim të NMVM-ve si rezultat i situatës së krijuar me COVID-19.
Projekti CERP përbehet nga dy komponente:
Nën komponenti 1.1: Mbështetja e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) për të përmirësuar Konkurrueshmërin dhe gatishmërinë për eksport (10,4 milionë euro) nëpër mes Programit të Granteve të Përputhshme (PGP).
Nën komponenti 1.2: Reformimi i sistemit të inspektimeve të bizneseve
Objektivat e Programit të Granteve të Përputhshme
Programi i Granteve të Përputhshme (PGP) funksionon në kuadër të nën komponentës se parë të Projektit CERP( Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport). Objektivi i PGP-së është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me potencial për eksport që (i) t’i përmbushin kërkesat për implementimin e e standardeve dhe certifikimin e produkteve të dedikuara për tregjet e eksportit, (ii) të financojë pajisje (makineri të prodhimit) për të rritur aftësitë për gatishmëri për eksport, (iii) të financojë pajisje që përdoren për trupat e vlerësimit të konformitetit, (iv) të përkrahë qasjen në Shërbimet e Zhvillimit të Biznesit (ShZhB)/Trajnime, dhe (v) pajisje të vogla për përmirësimin digjital. Aktivitetet e mbështetjes së biznesit që do të financohen nga PGP-ja mund të lehtësojnë qasjen në njohuri për fushat kritike për t'iu përgjigjur pandemisë COVID-19 siç janë përmirësimi i aftësive të tregtisë elektronike, çështjet e vazhdimësisë së biznesit, përmirësimi dhe avancimi i digjitalizimit për Bizneset.
Karakteristikat kryesore të Programit të Granteve të Përputhshme përfshijnë aktivitet si më poshtë:
- Aktiviteti 1 - Standardet dhe certifikimi i produkteve
- Aktiviteti 2 –Makineritë/pajisjet
- Aktiviteti 3 – Pajisjet për trupat e vlerësimit të konformitetit
- Aktiviteti 4 - Qasje në shërbimet dhe trajnimet për zhvillimin e biznesit
- Aktiviteti 5 - Pajisje të vogla për përmirësim/avansim dixhital
Standardet dhe certifikimi i produkteve
PGP-të për Zbatimin e Standardeve dhe Certifikimin e Produkteve përkufizohen si grante për bashkëfinancimin e kostove të NMVM-ve për marrjen e Standardeve dhe Certifikimeve të Produkteve ndërkombëtare. Financimi që do të jepet nga PGP-ja mund të mbulojë një maksimum prej 90 për qind të kostove për marrjen e këtyre standardeve dhe certifikimeve, deri në 40.000 €. Minimumi prej 10 për qind i kostos duhet të mbulohet nga aplikuesi, i vërtetuar nga llogaria bankare. Kostot e pranueshme për t'u financuar nga PGP-ja përfshijnë kostot e Certifikimit të Produktit (testim, verifikim, certifikim dhe inspektim) auditimeve të cilësisë, zbatimit të standardeve (për shembull, cilësi, mjedis, trajnim, etj.)
(b) –Makineritë/Pajisjet
Zbatimi i Makinerive/Pajisjeve përcaktohet si grant për të bashkë financuar kostot e NMVM-ve për të blerë pajisje prodhimi (makineri) në mënyrë që të rrisin aftësitë/gatishmërinë për eksport, për bizneset e prekura nga COVID-19. Komuniteti i biznesit ka identifikuar që kapacitetet e kufizuara të prodhimit janë ndër pengesat kryesore për të eksportuar në tregjet ndërkombëtare. Financimi që do të jepet nga PGP-ja mund të mbulojë maksimumi 50 për qind të kostos së makinerive/pajisjeve për firmat e mesme dhe deri në 70 për qind për firmat mikro dhe ato të vogla, për sa kohë që shuma e Grantit nuk kalon 50.000 €.
(c) –Pajisjet për trupat e vlerësimit të konformitetit
Zbatimi për Pajisjet për trupat e vlerësimit të konformitetit përcaktohet si Grantet për bashkëfinancimin e kostove për NMVM-të për të blerë pajisje që përdoren për vlerësimin e konformitetit, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë dhe kontribuojnë indirekt në vlerësimin e konformitetit të produkteve të Kosovës para se të hyjnë në tregjet e brendshme dhe ato të jashtme. Financimi që do të jepet nga PGP-ja mund të mbulojë një maksimum prej 50 për qind të kostos së pajisjeve për firmat e mesme dhe 70 për qind për firmat mikro dhe ato të vogla, për sa kohë që shuma e Grantit nuk kalon 50.000 €.
(d) Qasja në Shërbime të Zhvillimit të Biznesit dhe Trajnime
PGP-ja mund të mbulojë një maksimum prej 90 për qind të kostos së ShZhB/trajnimeve, deri në 10.000 € për një aplikacion të vetëm nga një NMVM, ose deri në 25.000 € për një maksimum prej tri aplikacioneve. Trajnimet në grup ose trajnimet e kryera përmes Shoqatave të Biznesit do të financohen deri në një maksimum prej 25.000 € për një vit. Shoqatat e Biznesit gjithashtu mund të kontraktohen për të ofruar trajnime specifike për firmat ose për të siguruar lidhje me firmat ndërkombëtare. Kostot e pranueshme për t'u financuar përfshijnë këshillime për nevoja të ndryshme të biznesit, të tilla si marketing, komisionimin i makinerive (pranimi teknik, mbikëqyrja), zhvillim të planit të biznesit, menaxhim financiar dhe përmirësim të aftësive për punonjësit e NMVM-ve - për shembull, kostot për të financuar trajnimet për stafin e NMVM-ve.
(e) Pajisje të vogla për përmirësim digjital
PGP-ja mund të mbulojë një maksimum prej 70 për qind të kostos së pajisjeve të vogla për përmirësimin digjital, deri në 5.000 €. Pajisjet e vogla për përmirësimin digjital duhet të kontribuojnë në përmirësimin e produktit/shërbimit të NMVM-së, krijimin e një produkti/shërbimi të ri ose përmirësimin e procesit të prodhimit në kontekstin e Projektit të miratuar. Pajisjet e nevojshme për të plotësuar planet e ShZhB-së/trajnimeve për t'iu përgjigjur krizës me COVID-19 do të jenë gjithashtu të pranueshme.
Nën komponenti 1.2: Reformimi i sistemit të inspektimeve të bizneseve
Reformimi i sistemit të Inspektimeve ka për qëllim zvogëlimin e barrës administrative për bizneset, duke shtuar në këtë mënyrë efikasitetin e shërbimeve të inspektimit, përmes sigurimit të:
- Sistemit elektronik i menaxhimit të dhënave, E- inspektorati;
- Sistemi për shkëmbimin e të dhënave, Interoperabiliteti dhe Nderveprimi i sistemeve të TIK
- Mbështetja për ngritjen e kapaciteteve profesionale për inspektorët.