Agjencia e Metrologjisë së Kosovës
https://amk.rks-gov.net/
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) është institucion i vetëm shtetëror për Metrologji, që e zhvillon aktivitetin në bazë të Ligjit për Metrologji, nr.03/L-203, Ligjit nr.04/L-124 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-203, Ligjit për punimet nga metalet e çmuara, nr.04/L-154, si dhe në bazë të akteve nënligjore që janë në zbatim të ligjeve të lartëpërmendura.
Misioni i Agjencisë së Metrologjisë është:
• Të ruajë, të zhvillojë dhe të përdorë etalonët kombëtarë të njësive matëse;
• Të mbrojë konsumatorët nëpërmjet organizimit të kontrollit të instrumenteve matëse në fushat e transaksioneve zyrtare dhe tregtare, mbrojtjen e shëndetit, mjedisit dhe sigurisë teknike, si dhe kontrollin sasior të parapaketimeve;
• Të ofrojë shërbime të kalibrimit prodhuesve dhe përdoruesve të mjeteve matëse për të qenë konkurrues në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është në formim e sipër, pasi që deri më tani ka qenë në nivel departamenti në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në kuadër të së cilës është Drejtoria e Metrologjisë Shkencore dhe Industriale, Drejtoria e Metrologjisë Ligjore, Mbikëqyrja Metrologjike dhe Sektori për Kontrollimin e Punimeve nga Metalet e Çmuara.
Laboratorët ekzistues janë:
- Laboratori i masës;
- Laboratori i matjeve elektrike;
- Laboratori i vëllimit dhe rrjedhjes;
- Laboratori i termometrisë;
- Laboratori i forcës;
- Laboratori për kontrollimin e punimeve nga metalet e çmuara.
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, në përbërje të saj, ka staf të trajnuar në institucionet metrologjike të vendeve si: Sllovenia, Shqipëria, Turqia, Anglia, Greqia dhe vende të tjera, të cilat kanë metrologji të avancuar.
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) me laboratorët, të cilët i posedon, kryen verifikimin, testimin dhe kalibrimin e mjeteve matëse në Kosovë siç janë: njehsorët elektrikë, mjetet matëse të masës (peshoret dhe gramarët), termometrat, volumetrat në pikat shitëse të karburanteve, si dhe kryen kontrollimin e cilësisë së punimeve nga metalet e çmuara. Në kuadër të përgatitjes së mjeteve matëse për verifikim, testim dhe kalibrim, AMK ka autorizuar edhe subjekte të cilat merren me servisimin dhe përgatitjen e mjeteve matëse për verifikim, testim apo kalibrim.
AMK kryen edhe miratimin, përkatësisht lejimin e tipit të mjeteve matëse që përdoren në territorin e Republikës së Kosovës.
AMK realizon zinxhirin e hulumtimit të etalonëve të matjeve, që janë në kuadër të saj, përmes kalibrimeve të etalonëve primarë në institutet e Metrologjisë së Sllovenisë dhe të Turqisë.
Gjithashtu, laboratorët e masës, termometrisë dhe laboratori i matjeve elektrike marrin pjesë në krahasimet laboratorike, të cilat organizohen në nivel rajonal apo evropian, për të krahasuar aftësitë e pasigurive matëse të laboratorëve. Të tre këta laboratorë janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme që t’i nënshtrohen procesit të akreditimit nga Drejtoria e Areditimit të Kosovës (DAK) dhe parashihet që deri në fund të këtij viti të zhvillohen procedurat e akreditimit.
Këta laboratorë kanë nevojë që të kompletohen edhe më tutje me mjete matëse dhe pajisje, të cilat përdoren për aktivitete të ndryshme metrologjike.
Në të ardhmen parashihet që të krijohen edhe:
- Laboratori i gjatësisë;
- Laboratori i presionit;
- Laboratori i kohës dhe frekuencës dhe
- Laboratori i matjeve kimike.
Sistemi i metrologjisë është elementi kyç për infrastrukturën e cilësisë së një vendi. Në shumë vende, sistemet e avancuara të matjeve janë një prej forcave shtytëse për industritë prodhuese dhe shumë ambiente testimi përdoren për zhvillimin e produkteve të reja. Krijimi i një sistemi të mirë të metrologjisë ndihmon gjithashtu edhe në zhvillimin e sektorit të prodhimit të pajisjeve të matjeve dhe prodhimtarisë në përgjithësi.
Duke krijuar infrastrukturën e domosdoshme metrologjike (laboratorët e akredituar të kalibrimit, etalonët nacionalë, metrologët profesionistë) për vendosjen e saktësisë dhe besueshmërisë në Kosovë, bëhet mbështetja e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve në Kosovë.
- Departamenti i Metrologjise Ligjore
- Departamenti i Metrologjise Skencore dhe Industriale
Kontakti:
Avdullah Jasiqi, zv.Drejtor i Përgjithshme i Agjencisë së Metrologjise së Kosovës
Email: avdullah.jasiqi@rks-gov.net
Tel: +383 (0) 38 20036628
web: https://amk.rks-gov.net/